Muzeu - Në kuvertë
Në kuvertë
Deri në fund të Tetëqindës, transportimi i emigrantëve zhvillohej me anije të vjetra me vela. Udhëtimi, mund të zgjaste madje një muaj në kushte jetese të paimagjinueshme. Kabinat, në pjesën e poshtme të anijes, kryesisht ajroseshin vetëm nga baxhat. Si rrjedhim, në mëngjes, pavarësisht nga kushtet atmosferike, të gjithë ishin të detyruar të transferoheshin mbi kuvertë: sëmundjet – sidomos ato të mushkërive dhe të zorrëve – ishin të përhapura dhe vdekshmëria ishte e lartë.
Valixhja ka qenë për një kohë të gjatë simbol i emigrimit; më përpara ka qenë “dengu”: një copë stof në të cilin mblidheshin gjërat për të marrë me vete. Në atë deng ose valixhe gjendej një “botë” e tërë: kujtimet e familjes, një biletë për një të afërm ose një bashkëfshatar, një letër prezantimi që, shpresohej, se mund të ishte e dobishme… Me ndërtimin, në vitet Njëzet, të avulloreve të linjave të mëdha të lundrimit që transportonin edhe emigrantët, koha e udhëtimit dhe kushtet e jetesës në bord u përmirësuan.
Më në fund arritëm!
Në parajsën tokësore të premtuar nga “Guidat”, faktet, ishin ndryshe. Pas mbërritjes, emigrantët e kuptonin se kishin arritur në Amerikën reale e jo në atë që kishin ëndërruar. Në doganë ata iu nënshtroheshin disa formaliteteve të rënda burokratike, shumë prej tyre refuzoheshin si të paaftë sepse ishin të prekur nga sëmundje invaliduese. Ata që pranoheshin trajtoheshin si në tregun e skllevërve. Në Argjentinë dhe Brazil, pasi arrinin në tokë, strehoheshin në struktura të ngjashme me burgjet – Hotel dhe Hospedaria të emigrantëve. Fuqia e emigrantëve ishte “zinxhiri migrues”, rrjeti i të afërmve, miqve, bashkatdhetarëve, të cilët, meqë kishin përjetuar tashmë përvojën e emigrimit, kërkonin t’ia lehtësonin atyre hyrjen në vendin e ri.
“Merika”
Në Shtetet e Bashkuara, pas mbërritjes në Nju Jork, emigrantët zbarkoheshin në Ellis Island për kontrollet. Nëpërmjet normave të rrepta bëhej një përzgjedhje drastike: disa refuzoheshin për sëmundje, për varfëri ekstreme, moshë rinore ose moshë shumë të avancuar, status civil (gra dhe jetimë pa mbështetje në vendin e ri).
Në vitin 1917 u miratua Literacy Act,një ligj mbi analfabetizmin që i impononte një kufizim imigracionit dhe goditi shumë italianë, sidomos jugorët. Kufizime të mëtejshme u vunë në vitin 1921 dhe 1924 me ligje që përcaktonin numrin e emigrantëve çdo vit.
Miss Liberty
Statuja e Lirisë iu dhurua Shteteve të Bashkuara nga Franca dhe u lidh me fenomenin e emigracionit. Ajo zonjë e bukur dukej sikur ishte e madhe sa Amerika dhe si ëndrrat e emigrantëve për t’u “bërë Merika”. Në fakt, pas mbërritjes në portin e Nju Jorkut, emigrantët zbarkoheshin në Ellis Island dhe u nënshtroheshin kontrolleve dhe shpeshherë poshtërimeve. Megjithatë, në imagjinarin e shumë emigrantëve, Statuja e Lirisë është bërë simboli i Amerikës; atëherë ata zbuluan se rrugët nuk ishin të shtruara me ar dhe se ato rrugë prisnin emigrantët për t’u shtruar.